Kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, z. Agron Ivani, vlerëson Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj me titullin “Mirënjohja e Qarkut Lezhë”.

📚📍Sot, në ambientet e Bibliotekës Lezhë, Kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, z. Agron Ivani, vlerësoi kontributin e shquar akademik dhe shkencor, të Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, në studimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe dhe të dialekteve të saj, veçanërisht të folmes së Malësisë së Madhe dhe të zonave të Nënshkodrës, kryesisht në Qarkun Lezhë, duke e nderuar me titullin “Mirënjohja e Qarkut Lezhë”.

Ky vlerësim iu akordua:

“Për veprimtarinë e tij të shquar shkencore në fushën e albanologjisë dhe të gjuhësisë shqiptare, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të qëndrueshëm në mbrojtjen, kultivimin dhe fisnikërimin e gjuhës shqipe, si dhe për ndihmesën e çmuar në hulumtimin dhe pasqyrimin shkencor të të folmes së Malësisë së Madhe dhe të qytetit të Lezhës, si thesare të vyera të trashëgimisë sonë gjuhësore e kulturore.”

Në këtë aktivitet me vlera të veçanta kulturore dhe shkencore, organizuar nga Shoqata “Sofra e Malësisë – Rrno për me tregue”, në bashkëpunim me Bibliotekën e Bashkisë Lezhë, u promovuan gjithashtu dy vepra me rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë gjuhësore e kulturore dhe për ruajtjen e pasurimin e gjuhës shqipe: “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” dhe “E folmja e qytetit të Lezhës”, të Prof. Dr. Gjovalin Shkurtajt.

Kryetari i shoqatës “Sofra e Malësisë – Rrno për me tregue” , z. Nikoll Gjoni, foli mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë gjuhësore, kulturore dhe etnografike të trevave tona, duke theksuar rolin që kanë botime të tilla në ruajtjen e përcjelljen e identitetit kombëtar tek brezat e rinj.

Në këtë takim referuan me kumtesat e tyre studiues, gazetarë, pedagogë dhe profesorë të ndryshëm, duke vlerësuar rëndësinë shkencore dhe kulturore të këtyre botimeve, si dhe kontributin e vyer të Prof. Dr. Gjovalin Shkurtajt, në ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj u ndal tek mbresat dhe kujtimet gjatë punës së tij në Lezhë, si dhe tek lidhjet e tij shpirtërore e kulturore me Malësinë e Madhe, vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti dhe interesimin e pjesëmarrësve.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, personalitete të jetës kulturore dhe akademike, anëtarë të shoqatës, si dhe të ftuar të tjerë.