Shtrirja Gjeografike
Qarku i Lezhës ndodhet në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë, në gjatësinë gjeografike 41° 51’ 40” në veri dhe 4° 35’ në jug dhe në gjërësi gjeografike 38° 08’ në perëndim dhe 20°10’ 03” në lindje dhe kufizohet: në veri me qarkun Shkodër, në verilindje me qarkun Kukës, në lindje dhe juglindje e qarkun Dibër, në jug me qarkun Durrës dhe në perëndim me detin Adriatik, me gjatësi vije bregdetare 38 km (nga rëra e hedhur në kepin e Rodonit).
Territori i qarkut të Lezhës ka një sipërfaqe prej 1588.4 km² dhe shtrihet në krahinën malore-qëndrore dhe ultësirën perendimore, ku 65% e sipërfaqes shtrihet në zonën kodrinore-malore dhe 35% zonën fushore.
Qarku i Lezhës ka një pozicion të favorshëm gjeogafik në Shqipëri, dhe ndodhet në kryqëzatën e të gjitha arterieve të transportit duke shërbyer si nyje lidhëse veri-jug dhe lindje-perëndim.
Relievi në këtë rajon prezanton kontraste të theksuara të të gjitha llojeve si bregdetar, fushor, kodrinor, malor, alpin etj me një alternim ndërmjet tyre si në asnjë rajon tjetër të vendit, ku deti, fusha dhe malet janë shumë pranë njëri tjetrit. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit të rajonit të Lezhës është 413 m, ajo maksimale 2121m (maja e Kunorës Mirditë) dhe minimale 4-6 m (Knallë, Torovicë, Kakarriq, Tresh etj në Lezhë).
Në këtë rajon mbizotëron klima kontinentale për zonën malore dhe ajo mesëdhetare për zonën fushore. Temperatura mesatare është 15° C, ndërsa reshjet e shiut variojnë nga 1200-1700 mm, me shpërndarje të çrregullt gjatë vitit. Territori i këtij rajoni është i pasur me pasuri të mëdha mbi e nëntokësore, hidrike, minerare etj.
Larmia e relievit, klimës, topografisë, gjeologjisë, gjeomorfologjisë krijojnë kushte të favorshme për gjallesën e një shumëllojshmërie të florës dhe faunën tokësore dhe ujore, të egra dhe të buta.
Elementët fiziko-gjografike të territorit të qarkut të Lezhës, gërshtuar me njëri-tjetrin, florën dhe faunën dhurojnë peisazhe dhe bukuri mahnitëse që stimulojnë kryesisht zhvillimin e agrobiznesit dhe atë të turizmit në këtë rajon, si dy burime të rëndësishme të ardhurash për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetit të banorëve të këtij rajoni dhe zhvillimin e tij.
Në territorin e rajonit të Lezhës jeton një popullsi prej 221217 banorësh (Janar 2012), ku 40% e saj jeton në zonat urbane dhe 60% në atë rurale.
Harta Administrative
Sipërfaqja e Qarkut Lezhe : 1588.4 km2 ose 5.5% të sip. së Shqipërisë
Bashkia Lezhë | 456.8 km2 |
Bashkia Kurbin | 263.6 km2 |
Bashkia Mirditë | 868 km2 |
Sipërfaqe pyjore | 92 510 ha |
Kullota e bimësi pyjore | 34 258 ha |
Tokë bujqësore | 35 152 ha |
Qarku Lezhe përbëhet nga tri bashki: Lezhë , Kurbin, Mirditë
Bashkia Lezhë | Bashkia Kurbin | Bashkia Mirditë |
10 njesi adm. | 4 njesi adm. | 7 njesi adm. |
GJITHSEJ: 3 Bashki e 21 Njësi administrative, 9 Qytete , 170 Fshatra