Kryeqyteti i Besëlidhjes shqiptare, Tempulli i Historisë Kombëtare, Qyteti simbol i bashkimit e unitetit, Lezha, sot në këtë ditë të shënjtë për të gjithë shqiptarët mirëpriti ashtu si para 580 viteve, me një organizim të shkëlqyer të Bashkisë Lezhë nën kujdesin e veçante të Kryetarit z. Pjerin Ndreu, personalitete e autoritete nga të gjitha trevat shqipfolëse, patriotë të shquar, e delegacione nga trojet shqiptare. Mori pjesë presidenti i republikës së Shqipërisë zoti Bajram Begaj, së bashku me një delegacion të gjerë arbëreshësh të Italisë.

Të gjithë të bashkuar në frymë evropiane për të përkujtuar këtë datë e për të bashkëpunuar për marredhenie reciproke e zhvillim social ekonomik në shërbim të rritjes së mireqenjes se qytetarëve.
Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Qarkut Lezhë, zoti Agron Ivani.
580 vite më parë, më 2 mars 1444, në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt “Besëlidhja e Lezhës”. Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.

Vendimet e kuvendit ishin:
1. Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.

Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.
Mbi parimet e Lidhjes së Lezhës, katër shekuj më vonë u themelua edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Besëlidhje të tjera autentike kombëtare, të cilat bazoheshin në kodeksin shqiptar të organizimit për mbijetesë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë.

Rrallë ndonjë ngjarje apo datë tjetër historike, e ka fituar natyrshëm këtë respekt dhe status sa Gjergj Kastrioti me besëlidhjen e prijësve në Lezhën e vitit 1444. Nder përjetë atyre burrave të shquar, shtetarë e fisnikë, të cilët me aktet politike dhe qëndresën e tyre ushtarake bënë që shteti shqiptar e Shqipëria të mbijetojnë, dhe sot, shqiptarët të mbetën ashtu si në kohën e Skënderbeut, populli më pro evropian në rajonin tonë.